Albulena Haxhiu: Nuk duam Qeveri Koti, duam Qeveri Kurti

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i është drejtuar qytetarëve nga sheshi “Skënderbeu” ku po mbahet tubimi i Vetëvendosjes për të festuar 15 vjetorin e themelimit të partisë dhe 21 vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Ajo tha se Vetëvendosje në këtë përvjetor gjen mbështetjen më të madhe nga qytetarët, brenda dhe jashtë Kosovës.

“Abuzuan me detyrën zyrtare dhe e zhvaten pasurinë e Kosovës. Betejat tona shpesh ishin të vështira, përmes tyre qytetarët shikuan si mbrohen të drejtat e fituara me sakrificë. Kuvendit i dhamë frymën e debatit dhe mendimit, etikën e qëndresës dhe moralin e veprimit, e ngjallëm dinjitetin e përfaqësimit sepse hymë në Kuvend jo për t’u rehatuar ata brenda tyre por për ta transformuar Kuvendin, sepse opozita për ne nuk ishte vetëm debat por ishte edhe rezistencë”.

“Zgjedhjet e vitit 2019 ishin fundi i panhajnisë dhe fundi i pazareve. Ishin fillimi i një ndryshimi qe nuk mund të ndalet, e tha edhe Bujari, shumë pak do të zgjasë kjo Qeveri Koti. Në zgjedhjet e vitit 2019 qytetarët e mbështetën Lëvizjen Vetëvendosje si subjektin e parë në Republikën e Kosovës dhe Kurtit i dhanë besim”.

“Nuk ju përshtat vetëm atyre që nuk u ngopën kurrë se përfituari pandershëm. Kosova tani drejtohet nga një qeveri që nuk ka mbështetje popullore, një qeveri ilegale, nga një kryeministër i Hashim Thaçit, që votën e fundit ja siguroi një president helaq. Nuk duam Qeveri Koti, duam Qeveri Kurti”.

Haxhiu që tha se Kosova tani po drejtohet nga një qeveri ilegale u shpreh e bindur se zgjedhjet do të mbahen shumë shpejt.