Ambasada gjermane i reagon Rusisë: Ne jemi ekspertë të nazizmit, ju s’po e luftoni atë në Ukrainë

Rusia ka thënë që nga fillimi i luftës se qëllimi i tyre është ‘denazifikimi’ i Ukrainës, e kësaj gjëje i ka reaguar Ambasada e Gjermanisë në Afrikën e Jugut, shkruan Gazeta Metro.

Diplomacia ruse në Afrikën e Jugut falendori afrikano-jugorët që sipas tyre po i dërgonin shumë letra mbështetjeje Rusisë.

Ata thanë se janë të kënaqur që Afrika e Jugut po i qëndron në krah Rusisë, përderisa Rusia “si 80 vite më parë, po lufton nazizmin në Ukrainë.”

Nuk vonoi reagimi i homologëve të tyre gjermanë në Afrikën e Jugut.

“Na falni, por thjesht s’mund të qëndrojmë të heshtur në këtë temë, është tepër cinike. Ajo çka po bën Rusia në Ukrainë është vrasja e fëmijëve të pafajshëm, grave e burrave për përfitime të saj. Definitivisht nuk është “duke luftuar nazizmin”. Turp për të gjithë ata që mashtrohen nga kjo. (Fatkeqësisht, ne jemi disi ekspertë në Nazizëm.)”

Përndryshe, Putin ditë më parë kërkoi nga vetë ukrainasit të rrëzojnë qeverinë e ‘nazistëve’ dhe të ‘droguarve’ që udhëhiqet nga Zelensky./gazetametro.net