Ambasadori i ri amerikan që pritet ta pasojë Philip Kosnett-in

0
107

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier i cili pritet ta pasojë ambasadorin aktual, Philip Kosnett pasi konfirmimit nga Senati amerikan.

Hovenier është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Hovenier aktualisht është zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Ambasadori në largim Kosnett sot njoftoi se zëvendësi i tij, Nick Giacobbe, do të jetë i ngarkuar me punë deri në ardhjen e ambasadorit të ri.

Ai ka thënë se të qenët ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka qenë një “nder i madh”.

“Largohem i bindur në aftësinë e popullit të Kosovës për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë”, tha Kosnett përmes një postimi në Twitter.

Mandati trevjçar i Kosnettit përfundon në fund të vitit.