Analistët: Ardhja e Escobarit në Kosovë, presion për çështjen e dinarit

Emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, pritet ta vizitojë Kosovën.

Analistët politikë thonë se ardhja e tij ka të bëjë më së shumti me çështjen e dinarit serb.

Blerim Cana, tha se ardhja e Escobarit në Kosovë është mesazh se ShBA-ja e cilëson të rëndësishëm dialogun me Serbinë.

Sipas Canës, çështja e dinarit ka ndezur debate të panevojshme derisa shtoi se Qeveria është dashur të ketë koordinim me ndërkombëtarët.

“Ardhja e tij shenjë që dialogu është i rëndësishëm për SHBA, përkundër faktit që kanë ndodhur disa çështje. Dinari panevojshëm e ka ndezur një debat, e ka angazhuar më tutje komunitetin ndërkombëtar. I panevojshëm për shkak se çështja e dinarit do zgjidhje më ndryshe dhe pavërejtshëm nëse do ishte bërë në koordinim. Tashmë ekziston rreziku që dinari të bëhet pjesë e dialogut. Si duket përmes dinarit do të ketë presion për implementimin e Asociacionit. Vetë Escobar e ka përmendur që dinari do të mund të zgjidhej përmes Asociacionit…”, tha ai.

Edhe analisti tjetër, Fidan Ukaj, thotë se çështja e dinarit pritet të jetë temë diskutimi e emisarit amerikan dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës.

“Pas vizitës së Lajcak se do ketë takim të nivelit të lartë në këto kohë, edhe vizita e Escobar është në këtë suazën që palët të kenë takim të nivelit të lartë. Mbetet të shihet a do të ketë theks të veçantë marrëveshjet e mëhershme apo dinari. Por, edhe dinari do të preket nga takimi që do të ketë me zyrtarët e lartë të shtetit. Është përpjekje e koordinuar me BE që palët t’i kthejnë për të gjetur zgjidhje… Ka përpjekje të zhvendoset cështja e dinarit në nivel politik. Institucionet të jenë të vendosura të mos zhvendoset në nivel politik, por të jetë teknik”, tha ai.