Anëtari i KP’së të LDK: Disa më kundërshtuan kur thash që elektorati kërkon koalicion me VV’në

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, u tha sot anëtarëve të tjerë të këtij këshilli se shumica e qytetarëve të Kosovës dëshirojnë që të arrihet marrëveshja për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Rexhepi, ish-deputet dhe ministër nga radhët e LDK-së, ka deklaruar se shprehja e urgjencës nga ai për arritjen e koalicionit LDK-VV, është kundërshtuar nga anëtarë të tjerë brenda mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

“Ka pasur anëtarë aty që e kanë kundërshtuar atë që e thashë unë, por që nuk dua të flas me emra. është çështje e tyre dhe secili kemi mendimet tona, qoftë të ndryshme apo të njëjta”, ka thënë Rexhepi për Gazetën Blic.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga LDK ka deklaruar se “janë një milion arsye” pse, sipas tij, qytetarët e Kosovës e dëshirojnë një koalicionin qeverisës LDK-VV.

“Unë në mbledhje e mora fjalën dhe e dhashë mendimin tim. Thash që shumica e qytetarëve po dëshirojnë që të ketë institucione dhe të arrihet koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje. Janë një milion arsye pse ata e dëshirojnë një gjë të tillë”, ka thënë Rexhepi.