Anulimi i mbledhjes së dy qeverive, Abdixhiku: Po rrezikohet shtetësia e Kosovës

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka reaguar pas lajmit për anulimin e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, të cilën e ka quajtur si “lajm të keq për shqiptarët”.

Abdixhiku ka shkruar se Kosova vazhdon të rrugëtojë drejt izolimit e vetmisë.

“Kosova fatkeqësisht vazhdon të rrugëtoj drejt izolimit e vetmisë. Këtë herë, si asnjëherë, mbetëm dhe pa Shqipërinë. Po mbesim dhe do të mbesim pa secilin aleat që qëndronte me ne në çdo etapë të vështirë.” – shkruan ai ndër të tjera.

Tutje, ai ka theksuar se përplasja e kryeministrit Albin Kurti me Perëndimin e rrezikon vet shtetësinë e Kosovës.

“Rrugëtimi i Kurtit, përplasës me perëndimin, rrezikon vet shtetësinë e Republikës. Në vend se të sillet si një Kryeministër i përgjegjshëm, një që ruan partneritetet e avancon kauzat kombëtare drejt perëndimit, ai sjellë krizë dhe izolim. Aventura e tij politike nuk mund të jetë përfaqësimi ynë popullor.” – thekson tutje ai.