Apeli i lë në paraburgim të arrestuarit në veri

Gjykata e Apelit ka vendosur të mbajë në fuqi masën e paraburgimit për të arrestuarit në veri të vendit, në Zveçan.

Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj tridhjetë e një të pandehurve.

Nga Gjykata thonë se akoma kanë mbetur në fuqi aktvendimet datës 30.05.2019 dhe 01.06.2019.

“Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit A.V-B, V.D, I.U, po dyshohen për shkak të veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”  nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3  dhe “Marrja e Ryshfetit”  nga neni 429 paragrafi 2 i këtij kodi”.

“Të pandehurit I.J, A.I, F.I, B.U, N.J, XH.J, A.J, M.J, N.B, J.M dhe S.I, po dyshohen për shkak të veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizua” nga neni 283 paragrafi 1, lidhur me veprat penale: “Tregtia e ndaluar” nga neni 305/2 si dhe  “Shmangia nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore”  nga neni 318/1 të KPRK-së”.

“Të pandehurit  A.M, A.P, A.H, B.N, B.T, B.L, B.M, B.M, D. S, J.D, K.S, M.M, O.K, R.M, R.K, Z.B dhe Z.S, për shkak të veprës penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, lidhur me veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1, 2.2 dhe 2.3  dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 429 paragrafi 2 i KPRK-së”, thonë nga Gjykata.

Gjykata e Apelit vlerëson se  janë përmbushur kriteret nga neni 187 par.1 nën. par.1.2 pika 1.2.1, 1.2.2. dhe 1.2.3  të  Kodit të Procedurës Penale, ngase ekziston rreziku se të pandehurit mund të ikin ose arratisen për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, mund të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, ose mund ta përsërisin apo kryejnë ndonjë vepër të re penale.