Apeli ia vërteton dënimin Sokol Bashotës

Gjykata e Apelit e ka lënë në fuqi aktgjykimin dënues që Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur ndaj ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota dhe ish-nënkryetarit të saj, Enver Berisha.

Bashotës e Berishës i janë shqiptuar gjashtë muaj burgim me kusht dhe nga 1 mijë e 200 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.

“Kolegji i gjyqtarëve nga divizioni penal i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve S.B. dhe E.B.. ndërsa e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë. Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të akuzuarit S.B. dhe E.B., secili veç e veç janë shpallur fajtor për shkak të veprave penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK dhe ndaj secilit prej të akuzuarve është shqiptuar dënimi me burgim, në kohëzgjatje prej nga 6 (gjashtë) muajve, të cilat dënime nuk do të ekzekutohen, nëse të akuzuarit në afatin prej 1 (një) viti, nuk kryejnë vepra tjera penale. Gjithashtu, ndaj të akuzuarve në fjalë, janë shqiptuar edhe dënime me gjobë, në shumë prej nga 1,200.00 Euro, të cilat dënimet, të akuzuarit do t’i paguajnë në afat prej 15 ditëve, nga dita kur ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Tutje në komunikatë thuhet se “Kolegji i gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor për shkak të veprave penale të lartcekura, ndërsa aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në asnjë shkelje ligjore”.