OVL-UÇK: Të rriten pensionet e veteranëve nëse rritet paga minimale

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të OVL të UÇK’së, Faton Klinaku, ka kërkuar që, në rast se rritet paga minimale në 250 euro, ashtu siç ka premtuar kryeministri Albin Kurti, pensioni për veteranët nuk duhet të jetë më i ulët, siç e përcakton Ligji për Veteranët e Luftës së UÇK’së.

Klinaku këtë deklarim e ka bërë nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, derisa ka pasur kritika për të gjitha subjektet politike, që sipas tij, po i shfrytëzojnë për populizëm veteranët e luftës, transmeton Fokusi.info.

“Është interesant se VV atëherë e ka kundërshtuar ligjin nr.05/L-141 e i cili nuk është në fuqi dhe sot flet në emër të tij. E ka kundërshtuar edhe AAK që tani po heshtë dhe gjatë qeverisjes nuk ka filluar kategorizimin. E kanë miratuar PDK dhe LDK por duhet ta sqarojnë opinionin se ato ndryshime nuk janë në fuqi dhe vlen ligji bazik”, ka deklaruar ai.

“Prandaj, partitë politike t’i lënë populizmat e tyre dhe mos t’i bëjnë çdo herë temë veteranët, të cilëve me ligjin 04/L – 261, që është i vetmi në fuqi, iu rritet pensioni krahas pagës minimale”, ka thënë tutje ai.

Sipas projektligjit të apostrofuar, “varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave me vendim të veçantë, mund të vendosë për lartësinë e shumës së pensionit të Veteranit Luftëtar të UÇK-së, cila nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë”./Fokusi.info/