Ardita Sinani: Reagon pas skandalit rreth publikimit të kamerave të sigurisë në shtëpinë e shëndetit

0
1083

Ardita Sinani, ish Kryetarja e Komunës se Preshevës, njëherit Kryetare e degës se PVD-së në Preshevë, ka reaguar pas skandalit të publikimit të kamerave të sigurisë, të instaluara në objektin e shtëpisë së shëndetit në Preshevë.

Postimi i plotë i saj në Facebook, të cilit ia bashkangjet edhe një fotografi të publikimit nga ana e e drejtorit të këtij institucioni:

Sot, menjëherë pas përfundimit të seancës së Kuvendit Komunal, pas fjalës time në të cilën adresova kritika udhëheqjes së Shtëpisë së shëndetit për mungesë të barërave dhe injeksioneve, drejtori i këtij institucioni në mënyrë të turpshme në faqen e tij të facebook-ut publikoi një foto timen ku unë dhe vjehrra ime është ulur, shihemi në koridorin e Ndihmës së shpejtë. Edhe më skandaloze është se kjo foto është marrë nga kamerat e sigurisë të instaluara në objektin e Shtëpisë së shëndetit.

Publikimi i kësaj fotografie përveç se është shkelje flagrante e privatësisë, dëshmon edhe faktin se deri në çfarë mase arrin çmenduria e kësaj udhëheqje e ngjashme me stilin e funksionimit të sherbimeve famëkeqe shtetërore serbe. Për dallim nga ato shërbime ku kundërshtarët politik përcilleshin vetëm gjatë aktiviteteve të tyre politike, këta të pushtetit tonë oponentët e tyre politik i përcjellin e përgjojnë edhe në institucionet ku qytetarët kërkojnë shërim. I gjithë ky matrapazllëk ndodhi vetëm për shkak të një kritike të argumentuar në një fjalim timin.

Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës, besoj tashmë jeni bindur se çfarë njerëz udhëheqin komunën tonë. Për më shumë, ky ishte edhe një mesazh për të gjithë ju, se çdo lëvizje e Juaja, madje edhe atëherë kur kërkoni shërim është e kontrolluar dhe mund të ju (keq)përdoret.

Vazhdës së proceseve të montuara politike të prokurorisë serbe kundrejt meje, tashmë edhe publikisht po i bashkangjitet soji i ngjashëm shqipëfolës në komunë të Preshevës!