Telekomi ende pa vendim për ta ndaluar kontratën me “Z-mobile”

Vetëm edhe dy ditë ka kontratë valide “Z-mobile” me Telekomin e Kosovës për shfrytëzimin e resurseve të kësaj ndërmarrje publike.

Edhe pse ditë më parë drejtues të Telekomit u deklaruan publikisht se nuk do të ketë vazhdim të kontratës me partnerin e saj dhjetë vjeçar, ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për shkëputjen e kësaj kontrate.

“Z-mobile” me anë të vendimit të Arbitrazhit për ezkekutimin e 25 milionë eurove nëpërmjet përmbaruesit privat, është duke i bërë presion të madh menaxhmentit dhe bordit të Telekomit për vazhdimin e kontratës.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi nuk ka dashur të komentoi lidhur me zhvillimet e fundit, përveç që na është sugjeruar që t’i referohemi postimit të tij të fundit lidhur me gjendjen e krijuar pas pranimit të propozim përmbarimin nga kreditori ”Dardafon.net LL.C.Sipas Istrefit, Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky propozim përmbarim.

Po ashtu, edhe përfaqësues të “Z-mobile”, nuk kanë pranuar të flasin për KosovaPress, për këtë çështje. E në anën tjetër, drejtuesit e sindikatës së punëtorëve në Telekom, paralajmërojnë se nga data 29 korrik do të futën në grevë të përgjithshme për parandalimin e lidhjes së kontratës së re me “Z-mobile”, si dhe kërkojnë nga gjykatat e vendit që mos të lejojnë ekzekutimin e vendimit të Arbitarzhit për përmbarim.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj thotë beson se vendim për 25 milionë euro nuk do të ekzekutohet, edhe pse sipas tij, është mjaft i rrezikshëm.

Ai tha se këtë presion që është duke e bërë “Z-mobile”, është duke e bërë për të shantazhuar menaxhmentin e Telekomit që t’i vazhdohet kontrata.

Edhe sindikata ende nuk ka pa ndonjë vendim të ri për ndërprerjen e kontratës me “Z-mobile”.

Balaj shton se nga 23 korriku është formuar këshilli i grevave për organizimin dhe grupimin e punëtorëve që më 29 korrik të fillojë të mbahet greva.

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës pati njoftuar se më 15.07.2019 ka pranuar Propozim Përmbarimin nga Kreditori ”Dardafon.net LL.C.” Ndërsa, Telekomi i Kosovës në cilësinë e Debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet Kreditorit me 25 milionë euro, vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat.

“Si bazë e kërkesës përmbarimore është Vendimi i Arbitrazhit (ICC) 20990/MHM. Telekomi i Kosovës njofton të gjithë palët e interesit dhe vetë Dardafon.net (Zmobile), se në këtë gjendje në të cilën ndodhet, gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere. Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky Propozim Përmbarim.

Po ashtu do të njoftohet edhe në mënyrë zyrtare vetë aksionari për këtë rast”, kështu ka shkruar Istrefi.Një akt i tillë, sipas tij, do krijonte një situatë gati të paimagjinueshme dhe rrjedhimisht një kolaps në operime, humbje të besimit ndaj partnerëve, furnitorëve dhe vetë klientelës së Telekomit të Kosovës.

Pasiguria rreth të ardhmes së Telekomit të Kosovës, do ketë ndikim direkt tek vetë punëtorët, të cilët demotivimin do ta reflektojnë direkt në krijimin e një krize të brendshme, e që lidhet zinxhirë edhe me vetë gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë.