Armë të tjera për Kievin, SHBA: Duam që Rusia të dobësohet ushtarakisht

Shtetet e Bashkuara duan ta shohin Rusinë të “dobësuar” deri në atë pikë sa nuk mund të nisë luftëra të reja.

Kështu deklaroi kreu i Pentagonit, Lloyd Austin, duke folur pranë kufirit ukrainas në kthimin e tij nga vizita në Kiev me sekretarin e shtetit Antony Blinken.

“Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar në një shkallë të tillë që të mos mund të bëjë më gjëra si pushtimi i Ukrainës”, tha Austin.

Pas takimit të zyrtarëve të lartë amerikan në Kiev, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën mbështetjen e saj për Ukrainën.

Ata premtuan më shumë se 700 milionë dollarë financim ushtarak për të ndihmuar përpjekjet e tyre të luftës.

Përveç kësaj, SHBA konfirmoi se do t’i shesë Kievit municion prej 165 milionë dollarë.

Njoftimi u bë pas një udhëtimi që u mbajt i fshehtë për shkak të ruajtjes së sigurisë.

Kjo ishte vizita e nivelit më të lartë të diplomatëve amerikanë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus.

Përveç Presidentit Zelensky, Blinken dhe Austin u takuan gjithashtu me Ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba.

Por edhe me ministrin e Mbrojtjes Oleksiy Reznikov dhe Ministrin e Brendshëm Denys Monastyrsky.

Blinken tha se ukrainasit po qëndrojnë të fortë përballë një lufte shkatërruese, shkruan Gazeta Si.

“Ukrainasit po qëndrojnë në këmbë, po qëndrojnë të fortë dhe po e bëjnë këtë me mbështetjen që ne kemi bashkërenduar në mbarë botën“, tha sekretari amerikan i shtetit.

Blinken deklaroi po ashtu se Rusia “po dështon në qëllimet e saj të luftës”, teksa shtoi se “Ukraina po ia del mbanë në mbrojtjen e saj”.

Gjithashtu, sekretari amerikan i shtetit tha se një “Ukrainë sovrane dhe e pavarur do të jetë shumë më e gjatë” sesa Vladimir Putin do të jetë në pushtet në Rusi.

Blinken tregoi po ashtu edhe rreth vizitës së tij në Kiev, teksa rrëfeu se ai dhe sekretari i mbrojtjes Lloyd Austin arritën në kryeqytetin ukrainas duke udhëtuar me tren nga Polonia.