Arrestimet në MINT, PDK kërkon dorëheqjen e Rozeta Hajdarit

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas arrestimit të dy zyrtarëve të MINT në lidhje me aferën për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Ajo ka kërkuar dorëheqjen e Rozeta Hajdarit, ministres së MINT.

“Shoqërimi në polici i Hafizit e Irfanit dhe bastisja e pronave të Ridvan Muharremit për “Aferën Gruri&Vaji” në MINT, kanë kuptim vetëm nëse shkarkohet edhe Rozeta Hajdari”.

“Nuk mund t’i iket përgjegjësisë politike në një skandal të madh si ky. Rozeta, si udhëheqëse e këtij dikasteri, është fillimi dhe fundi i problemit”, ka shkruar Deliu.

“Kryeministër, fjala është për ty”!, shkruan Deliu.

Policia e Kosovës në orët e mëngjesit ka nisur bastisjet në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ndërsa ka shoqëruar në Polici drejtorin e Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretarin Irfan Lipovica.

Po ashtu është arrestuar edhe biznesmeni Ridvan Muharremi.