Arrestimi i ish -ushtarit të UÇK’së në Merdarë nga Serbia, MPJ tregon për veprimet që ka ndërmarrë

Ministria e Punëve të jashtme dhe Diasporës është deklaruar sot lidhur me arrestimin e dy qytetarëve të Kosovës në Serbi.

Sipas njoftimit sot në Serbi janë arrestuar Hasan dhe Xhavit Daka. Për Hasan Dakën, avokati Xhevat Smakiqi konfirmoi se është ndaluar, ndërsa MPDJ konfirmoi se Xhavit Daka është liruar.

Nga MPDJ thonë se për këtë çështje kanë njoftuar zyrën e BE-së në Serbi, Ambasadën e ShBA-së dhe atë të Britanisë së Madhe.

“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës. Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisё sё Madhe nё Serbi”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin e tyre thuhet se e dënojnë ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndermarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet tutje në njoftim, përcjell Gazeta Express.

MPDJ ka njoftuar se do të paraqesë kërkesë zyrtarë autoriteteve serbe për ta lejuar ambasadorin Jashari që ta vizitojë të arrestuarin Hasani.

“Zyra Ndёrlidhёse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikёs sё Kosovёs tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Daka nga organet serbe. MPJD do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë. Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51.”, thuhet në njoftim.