Arrestohen trafikantët e armëve në Ferizaj

Nga aksioni policor që filloi mëngjesim e sotëm vetëm në rajonin e Ferizajt janë arrestuar 18 persona, njofton Klan Kosova.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin se pas një hetimi intenziv disa mujor, i filluar nga fundi i vitit 2018, me masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimit të Organizuar – DHKO në Prishtinë, kanë kryer disa bastisje në disa lokacione në regjione të ndryshme në tërë Kosovën.

Me ç ‘rast janë sekuestruar një sasi e madhe e armëve dhe municion të llojeve të ndryshme, dhe atë deri më tani tridhjetë e shtatë (37) revole, tetë (8) armë gjuetie, tri (3) armë AK-47 , dy (2) armë gjysmë automatike, shtatë (7) armë të gjata, një (1) pushkë ajrore, tetëmbëdhjetë (18) karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve), një sasi e madhe e fishekëve, rreth nëntë mijë (9,000) copë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu, janë sekuestruar të holla rreth 10.000 € si dhe dy (2) vetura, ku me këtë rast janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, njofton Klan Kosova.

A.F.,P.F.,M.F.,M.SH.,I.R., R.M.,N.M.,P.M., A.F.,B.A.,S.N.,A.H., K.P.,E.B.,K.D., B.J.,S.K.,F.U., u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se operacioni ende është duke vazhduar.