Arrestohet i dyshuari për plagosjen e dy personave në Shtërpcë

Policia ka konfirmuar se ka arrestuar të dyshuarin kryesor për plagosjen e dy personave sot në Shtërpcë.

“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intenzive hetimore , grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A.K (M/K) i moshës 33 vjeçar.

I dyshuari është duke u shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt, përkatësisht Sektorin Rajonal të Hetimeve, për veprime tjera hetimore”, thuhet në njoftim.

Ndërsa më heret Policia e Kosovës ka njoftuar se një 11-vjeçar dhe 31-vjeçar janë plagosur sot në Dajkovc të Shtërpcës.

Sipas policisë, i dyshuari ka shtënë në drejtim të viktimave nga automjeti që ka qenë në lëvizje në drejtim të Ferizajt.

“Sot, datë 06.01.2023 rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtērpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar Policia.

Sipas njoftimit, dy të lënduarit për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës.

Sipas Policisë, dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Janë marrë të gjitha veprimet nga policia , policia e rendit e më pas hetuesit policor dhe krimtekniket nga Sektori Rajonal i Hetimeve, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga PTH-Ferizaj kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetime”, ka njoftuar më tej Policia.

Aktualisht rruga që qonë për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes.