A po iu ofron Telekomi pensionim të “dhunshëm” punëtorëve të vet?

Punonjësit e Telekomit të Kosovës sot e kanë pranuar një e-mail jo fort të zakontë, të cilin Klan Kosova e ka siguruar ekskluzivisht, ku janë njoftuar për “reformimin e tërësishëm dhe substancial”.

Telekomi i ka paralajmëruar punonjësit e vet se pas ristrukturimit mund të mos kenë më perspektivë në strukturën e re organizative.

“Kjo, ngase detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional apo edhe ngase disa prej pozitave të punës, të cilat janë të duplifikuara, edhe mund të shuhen. Nën kushte të tilla, kompania është e detyruar që t’ua thotë të vërtetën punëtorëve të saj të lartëpërmendur dhe të mos ua humbasë perspektivën e tyre të mëtejme”, thuhet në e-mailin.

Ata arsyetohen se nuk duan t’ua humbasin perspektivën punëtorëve, të cilët nuk do të përshtaten me ristrukturimin, duke shtuar se duke mos i informuar me kohë për të vërtetën ua shkelin edhe të drejtat.

“Ushqimi i iluzioneve të rrejshme për punëtorët të cilëve kompania nuk mund t’u ofrojë më perspektivë pas ristrukturimit është jo vetëm humbje e perspektivës për të njëjtit/at, por është edhe abuzim me të drejtat e tyre për të qenë të informuar drejtë dhe me kohë”, thotë njoftimi i siguruar ekskluzivisht nga Klan Kosova.

Kjo, sipas tyre, ka qenë edhe arsyeja pse punëtorëve iu kanë ofruar mundësinë për pensionim të parakohshëm apo edhe shkëputje vullnetare të kontratës së punës duke përfituar benefite të caktuara.

Ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim, derisa ata që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës do të marrin 24 paga bruto përnjëherë.

Kjo kompani iu ka thënë punëtorëve të saj se kjo ofertë për ta – e cilësuar si pako dalëse – e ka një limit kur përfundon. Nis nga 25 marsi dhe zgjat veç një muaj.

E ata që nuk do të zgjedhin asnjërën nga mundësitë e kësaj pako dhe bëhen pjesë e strukturës së re organizative, Telekomi i ka paralajmëruar se “duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës”.