Arrestohet ish-ministri i Mjedisit në Shqipëri

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është vënë në pranga këtë të martë pas urdhrit të lëshuar nga SPAK-u.

Ai akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Koka ka qenë deputet i LSI-së, por u shkëput nga kjo parti kur dorëzoi mandatet dhe iu bashkua Partisë Socialiste.

Ish-ministri akuzohet nga opozita si i përfshirë në aferën e inceneratorëve, shkruan A2 CNN.

Në kallëzimin e LSI-së për inceneratorin e Fierit thuhet se Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe kryetari i bashkisë Fier Armando Subashi kanë kryer dy vepra penale atë të “Shkeljes së barazisë në tenderë” dhe “Shpërdorimin e Detyrës”.

Sipas LSI-së në këtë tender ka pasur kufizim të konkurrencës, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori, si dhe tre ditë pas firmosjes së kontratës ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive ofertuese të shërbimit.

Më 1 shtator, nëntë ditë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, Koka njoftoi dorëzimin e mandatit të fituar në radhët e Partisë Socialiste.