Arrestohet pronari që e grushtoi keq qenin e tij në mes të Prishtinës

Ditë më parë në mediat kosovare u publikua një video e tmerrshme, ku shihej një person duke e goditur me grushte pa mëshirë qenin e tij në mes të Prishtinës.

Ai e kishte kapur qenin dhe e godiste me qa fuqi sa kishte.

Këto pamje të rënda skandalizuan një pjesë të audiencës, sidomos aktivistët e të drejtave të kafshëve.

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dje ka dorëzuar kallxim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Si rezultat policia është autorizuar të filloj hetimet dhe keqtrajtuesi që shihet në video është identifikuar.

Sipas, njoftimit të Fondacionit, i njëjti dje ishte i lirë madje as nuk ishte marrë në pyetje nga policia.

Ndërkaq, sot kjo organizatë ka njoftuar se, zyrtarisht janë informuar se sot rreth orës 09:50 i dyshuari është arrestuar. Është kontrolluar edhe vendbanimi i tij por qeni që është keqtrajtuar nuk është gjetur aty. Me urdhër të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Qeni i shkretë nuk gjendet dhe me shumë gjasë ose ka vdekur nga lëndimet e rënda ose është dërguar diku pasiqë Policia ka marrë urdhër për ta arrestuar personin 4 ditë pas keqtrajtimit të qenit”, thuhet tutje në postimin e Fondacionit.

Personi i dyshuar raportohet të jetë Ardit Aliu, i biri i pronarit të firmës “Magic Ice”.

Ndërkaq, të hënën është paralajmëruar mbajtja e një proteste në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në ora 12:00.

Protesta do të mbahet nën marshin “UNË NUK KISHA FORCË TË MBROHEM, PO TI BËHU ZËRI IM!!!”.

Lini një Përgjigje