Arrestohet zyrtari i gjendjes civile me dyshimin se ka lidhur martesa fiktive mes shtetasve të Kosovës dhe atyre të BE-së

0
340
Policia e Kosovë sot ka arrestuar një person me dyshimin, se në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, ka lidhur martesa fiktive mes shtetasve të Kosovës dhe atyre të BE-së, pa prezencën e personave, duke lëshuar certifikata martesore, të cilat i kanë shfrytëzuar për leje qëndrimi në perëndim.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, me datën 14 dhjetor 2018 ka pranuar autorizim nga Prokuroria Themelore Prishtinë për të zhvilluar hetime, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 422 i KPRK-së dhe “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë” nga neni 403 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lidhur me këtë rast, më datën 22 janar 2019, njësitet policore kanë arrestuar K.B, lindur më 1962, për kryerjen e veprave të lartcekura.
Personi i arrestuar lidhur me këtë rast është: K.B., i lindur me 1962 m/sh/k.
I dyshuari punonte si zyrtar në Zyrën e Gjendjes Civile në Skenderaj, ka lidhur martesa fiktive në mes të nënshtetasve të RKS-së dhe atyre të BE-së, me ç’rast edhe ka lëshuar certifikata martesore pa prezencën e çifteve martesore. Këto certifikata janë përdorur në Gjermani për rregullimin e lejeve të qëndrimit atje. Me vendim të prokurorit në PTH – Prishtinë të dyshuarit të lartcekur i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.