Arrin në KQZ peticioni i parë nga veriu

Serbet e veriut të Mitrovicës i kanë dorëzuar sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve peticionet për shkarkimin e kryetarit të Zubin Potokut.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

“Mund t’ua konfirmoj se deri më tani kemi pranuar kërkesën me nënshkrime të mbledhura për verifikim nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut. KQZ, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të verifikojë listën e nënshkrimeve, pra nëse nënshkruesit janë qytetarë me të drejt vote në komunën përkatëse”, tha Elezi.

Ndryshe pak ditë më parë serbët e komunave në veri të Kosovës kishin formuar grupet nismëtare, për të paraqitur kërkesa te kryesuesit e kuvendeve komunale në Mitrovicë të Veriut, Zubin-Potok, Zveçan dhe Leposaviq, për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarëve.

Pas dorëheqjes së serbëve nga katër komunat veriore , janë mbajtur zgjedhjet e reja, me dalje minimale, kurse nga zgjedhjet, fitues dolën 4 shqiptarë për t’u bërë kryetarë komunash: Erden Atiq në Mitrovicën e Veriut, Lulzim Hetemi në Leposaviq, Ilir Peci në Zveçan dhe Izmir Zeqiri në Zubin-Potok.