“Arrogant”, e mori në pyetje për rastin Dehari, Haxhiu sulmon ashpër prokurorin Shefkiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi ka dhënë dëshminë e saj në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për rastin Dehari, ka folur para mediave, për atë që tha brenda, e për rastin në përgjithësi.

Ajo, pati fjalë të rënda për Prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu duke e quajtur arrogant.

“Prokurori Shefkiu me arrogancë po u përgjigjet atyre që po duan drejtësi për rastin Dehari. Shefkiu me arrogancë reagon edhe ndaj familjes Dehari, e ndaj meje. Le t’me ftoj sërish për të dëshmuar. Do t’i përgjigjem gjithmonë. Njejte.

Shefkiu mos të bëhet personi që po e pengon këtë rast. Le të marr rastin ndonjë prokurori tjetër.

Prokurori më ka kërkuar që t’ia tregoj emrat se kush janë kryerësit e kësaj vepre. Po t’i kasha emrat unë s’do të prisja 7 vjet.” – ka thënë Haxhiu

Tutje, Haxhiu është shprehur se pikërisht në momentin kur po zgjedhej drejtoresha e IML-së, u zhdukën mostrat e Deharit.

Duke shtuar se e ka pyetur Prokurorinë Speciale nëse Flutura Goga, është nën hetime për këtë rast, që ta di se a mund të bëhet drejtoreshë apo jo, por sipas saj, Kryeprokurori Blerim Isufaj nuk i është përgjigjur.

“Mostrat e Astrit Deharit, janë zhdukur në prag kur kemi qenë në zgjedhje të drejtorit të IML. Por, kur ndodhi kjo, ne e kemi pezulluar këtë proces. Sipas informacioneve që kemi pasur, disa mostra janë gjetur. Znja. Goga ka kërkuar që të bëhet drejtoreshë, por unë e kam pyetur Prokurorinë Speciale nëse rasti është ende në hetim. Por Kryeprokurori Blerim Isufaj, nuk më është përgjigjur ende.” – ka theksuar ministrja.