Arsenali fiton super ndeshjen ndaj Liverpoolit dhe rimerr kreun e Premier League

Arsenali dhuron spektakël, duke marrë një fitore të madhe në super duelin ndaj Liverpoolit  në takimin e raundit të 10-të të Premier League. Skuadra e Mikel Artetës triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj ekipit të Jurgen Klopp në “Emirates Stadium”, duke rimarr kreun e renditjes dhe njëkohësisht duke zhytur më keq “The Reds”.

Arsenal zhbllokoi sfidën që në minutën e parë, me Martinellin që realizoi që në aksionin e parë. Liverpool u bë shumë kërkuese dhe ia doli që të gjente golin e barazimit në minutën e 34-t, me Nunez që shënoi pasi u asistua nga Diaz.

Arsenali gjithsesi rimori avantazhin në fundin e pjesës së parë, me Saka që do të realizonte golin e dytë për ekipin e Artetës në minutën e 5-të të shtesës.

Në pjesën e dytë skuadra e Klopp ia doli të rigjente barazimin në minutën e 53, kur Firmino mundi të gjente rrugën drejt rrjetës pas një asisti nga Diogo Jota. Gëzimi nuk zgjati shumë te miqtë, kjo për faktin se pas një ndërhyrje të gabuar të Thiagos ndaj Jesus, Arsenal fitoi penallti. Saka do të realizonte nga pika e bardhë.

Arsenal kryeson me 24 pikë, ndërkohë që Liverpool renditet në vend të 10-të me 10 pikë.