As kryesindikalistja e Arsimit për Evropë nuk i pajton Kurtin e Jasharajn, dështon sërish marrëveshja

Sussan Flocky, drejtoresha e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit në Evropë, ka deklaruar se nuk është gjetur një zgjidhje për ndërprerjen e grevës në arsim, edhe pas takimi të sotëm që pati me kryeministrin Albin Kurti.

Ajo, në një konferencë për media, ka theksuar se i mbështet të gjithë mësimdhënësit dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, njofton KlanKosova.tv.

“Unë erdha këtu të gjejë një zgjidhje për këtë çështje pasi mësuesit kanë qenë në grevë, duke kërkuar shumë qartë një rritje në pagat e tyre, por edhe duke kërkuar zbatimin e sigurimit shëndetësor, si dhe kërkesat e tyre për reformën e skemës së pensioneve. Nuk ishim në gjendje të gjenim një zgjidhje për problemin me grevën”, ka thënë Flocky pas takimit me Kurtin.

Flocky ka theksuar se të gjitha zhvillimet për arsimin në Kosovë i raporton tek Komisioni Evropian, duke shtuar se edhe për takimin me Kurtin do ta raportojë kur të shkojë në Bruksel para Komisionit Evropian.