Ashpërsohet lufta, Berisha sulmon Bashën përmes zëdhënëses, i kërkon dorëheqjen

Thellohet lufta mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pas goditjeve që i dha javën e parë nga një studio televizive, ish-kryeministri ka shtuar dozën e sulmeve dhe akuzave ndaj kryedemokratit Basha.

Ka qenë zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli, e cila teksa ishte e ftuar në një emision televiziv, ka shpërthyer në kritika shumë të forta ndaj Bashës dhe mënyrës se si ky i fundit po bën politikë dhe drejton opozitën. Për zonjën Mëhilli lideri demokrat është një politikan i dështuar dhe përpara kësaj situate ajo ka theksuar se PD do të ngrihet dhe do të jetë një parti e fortë vetëm nëse Berisha rimerr stafetën, sa i takon vendimmarrjes. Sipas saj, Berisha është një politikan tepër energjik dhe se do ishte në dobi të Partisë Demokratike që ai të kishte akses në vendimmarrje.

“Sali Berisha është shumë aktiv në politikë, e nisur nga kjo mendoj që duhet të ishte edhe shumë më i përfshirë në vendimmarrjen brenda Partisë Demokratike. Mendoj që kjo do të ishte një garanci e shtuar për të gjithë demokratët, edhe për ata që nuk ndjekin linjën zyrtare të PD, gjë për të cilën me thënë të drejtën gjykoj që ka shumë nevojë Partia Demokratike sot”, u shpreh Mëhilli. Pra, ashtu siç gazeta e ka deklaruar se marrëdhëniet mes Berishës dhe Bashës janë të tensionuara, edhe deklarata e zonjës Mëhilli lë të nënkuptohet se shumë demokratë kërkojnë rikthimin e ish-kryeministrit që të marrë frenat e partisë.

PD është e kapur

Duke vijuar më tej në analizën e saj, sa i takon mënyrës se si po bën opozitë Partia Demokratike, zëdhënësja e ish-kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli ka shigjetuar kreun e PD, Lulzim Basha teksa theksoi se ka politikanë të tjerë ku familjarët kanë ndikim të madh në vendime të rëndësishme politike në disa raste edhe vendimtare. Madje, edhe pse nuk përmendi emra, por hoqi një paralele mes kohës kur selia blu drejtohej nga Berisha dhe asaj aktuale që drejtohet nga Basha, zonja Mëhilli shtoi se ish-kryeministri kishte alergji nga nepotizmi, ndryshe nga lideri demokrat, që sipas saj, ka lidhje të fortë me këtë dukuri që ka pushtuar partinë. “Për çështjen e ndikimit, Sali Berisha hyn te ata politikanë ku familja nuk ka pasur rol në vendimmarrjen politike. Ai vetë, por dhe familjarët kanë qenë shumë të kujdesshëm që mos ngatërronin raportet dhe marrëdhëniet e veta si familjare me bashkëpunëtorët e tij. Ka qenë shumë i ekuilibruar ky raport. Ndryshe nga sot ku fjalë apo raportime për politikanë të tjerë, ku familjarët kanë ndikim të madh në vendime të rëndësishme politike në disa raste edhe vendimtare, domethënë ndikimi është dhe vendimtar”, u shpreh ajo. Pra, kjo deklaratë e zonjës Mëhilli mbështet në një farë mënyre edhe zërat e qarqeve mediatike, madje edhe në korridoret e PD që thuhet se Partinë Demokratike e drejton familja e Lulzim Bashës, sidomos kunati.

Basha ka dështuar në PD

Por akuzat, kritikat dhe sulmet e zëdhënëses së ish-kryeministrit Sali Berisha, Erla Mëhilli në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ndalen me kaq. Gjatë fjalës së saj në emisionin televiziv, zonja Mëhilli i kujtoi kryedemokratit Basha se kur një lider politik dështon në objektiva dhe nuk korr rezultate të kënaqshme, sipas saj, është e udhës që ai lider të dorëhiqet, përpara se zemërimi i anëtarësisë ta marrë përpara. “Politika është profesion. Ka mijëra vjet që zhvillohet. Ndoshta mund të vëmë në pikëpyetje a ka politikani një datë skadence. Njeriu mund të konsumojë gjithë jetën duke u marrë me politikë. S’ka nevojë të jetë kryetar apo ministër për t’u marrë me politikë. Po sigurisht nëse konsumohet shumë në politikë dhe mbi të gjitha nuk arrin objektivat që duhet të arrijë, ka një datë skadence. Po kjo nuk ndodh te ne, për kryetarët tanë dhe për të preferuarit e kryetarëve. Këtu mund të kalosh nga dështimi në dështim dhe rri aty si më i miri, pa datë skadence”, nënvizoi Mëhilli.