Autoriteti i konkurrencës i kërkon qeverisë Kurti ta rishikojë vendimin për favorizimin e Telekomit

Autoriteti kosovar i Konkurrencës ka dalë me rekomandim për qeverinë në detyrë të Kosovës, lidhur me vendimin për përjashtim të Ligjit të Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës.

Në rekomandimin e AKK’së, thuhet se ky vendimi i Qeverisë, dobëson presionin konkurrues që shpie në përforcimin e kompanisë ekzistuese.

Gjithashtu, ky vendim mund të shpie te format e keqpërdorimit të pozitës dominuese nga Telekomi i Kosovës.

“Autoriteti vlerëson se vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 02.04.2020 nr. 05/21 është në kundërshtim me ekonominë e tregut dhe konkurrencës së lirë”, shkruhet tutje.

Autoriteti ka rekomanduar qeverinë që të rishikojë këtë vendim.

Ky rekomandim i AKK’së, është bërë pasi që sipas tyre po krijohet monopol në shërbime telekomunikuese.

Nga AKK-ja kanë deklaruar se ky vendim i qeverisë që përjashton Ligjin e Prokurimit Publik për shërbimet telekomunikuese që ofron Telekomi i Kosovës, si shërbime me rëndësi të veçanta shtetërore, mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës përkatësisht neni 119, pika 3.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, me këtë vendim Qeveria e Kosovës i ka përjashtuar në tërësi ofertat që mund t’i ofrojnë ndërmarrjet për shërbime telekomunikuese, duke i përjashtuar procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe duke e bërë monopol natyror, “Telekomin e Kosovës”.