Avokati i Gucatit: Zyrtarët e ZPS’së u kishin thënë në OVL-UÇK se mund ta mbajnë materialin një muaj

Në konferencën e sotme në Hagë, avokati i Hysni Gucatit ka thënë se zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar u kanë thënë zyrtarëve të OVL-UÇK-së se mund të mbajnë deri në një muaj materialin e dorëzuar në paketa në zyrat e organizatës. Deklarime të tilla janë kundërshtuar nga ZPS, dhe janë quajtur shpifje nga prokurorët.

Në seancën e sotme që është përgatitje për gjykim, nga trupi gjykues është bërë i ditur parashtrimi nga ana e Gucatit se zyrtarë të ZPS-së u kishin thënë që kanë mundësi të mbajnë materialin për një muaj.

Gjykatësi ka pyetur ZPS-në nëse do të paraqesin dëshmi lidhur më parashtrimet nga ana e mbrojtjes sa i përket kësaj çështjeje, për çka prokuroria ka deklaruar se nuk e kanë ndërmend të paraqesin prova duke i cilësuar shpifje këto deklarime.

“Parashtrimi jonë është se kjo është një shpifje dhe se për momentin ne nuk kemi ndërmend të paraqesim prova lidhur me këtë pretendim të mbrojtjes, nëse informacionet e ardhshme kërkojnë që ne ta ndryshojmë këtë mendim atë herë do të kërkojmë leje nga trupi gjykues për të bërë ndryshimet e duhura, por për momentin nuk ka asgjë në provat që do të sugjeronte që ne duhet të ndërmarrim hapat e mëtejmë”, ka thënë prokurori.

Mbrojtja e Gucatit, Rees ka thënë se prokuroria duhet ta provojë këtë çështje.

“I takon prokurorisë që të provojë çështjen, thjesht trupi gjykues nuk do t’i zë besë fjalës së prokurorit, sepse në gjykimet që kam marrë pjesë unë nuk funksionin ashtu”, ka thënë Rees.

Qëndrimin e tij e ka mbështetur edhe mbrojtja e Nasim Haradinajt, avokati Cadman.

“Mbështes qëndrimin e kolegut tim zotit Rees, ne i kemi kërkuar ZPS-së shumë herë që të na jep deklarata që ka marrë nga zyrtarët që kanë marrë nga zyrtarët që kanë qenë të pranishëm gjatë operacionit 1, 2 dhe 3 dhe asnjë prej këtyre zyrtarëve nuk është përfshirë në listën e personave që do të japin dëshmi në gjykim. Neve na është mohuar mundësia që t’i shikojmë këto deklarata të tyre dhe nuk na janë dhënë hollësi lidhje me to”, ka thënë Cadman.

Ish-krerët e OVL të UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Kjo është konferenca e dytë përgatitje për gjykim.