Avokati i Mustafës i numëron vërejtjet për provat e paraqitura kundër Mustafës, prokurori e pranon gabimin

Avokati Julius Von Boné ka pasur shumë vërejtje për provat që i janë paraqitur nga Prokuroria e Specializuar atij kundër ish-eprorit të UÇK’së, Salih Mustafës.

Gjatë konferencës së mbajtur në Dhomat e Specializuara për ecurinë e çështjes së gjykimit të kësa çështjeje, avokati i Mustafës ka përmendur disa çështje që s’kanë shkuar siç duhet gjatë procesit të marrjes në pyetje të ish-eprorit të UÇK’së, raporton Gazeta Express.

Von Boné ka përmendur një libër, për citime brenda të cilit tha se është prokurorët e kanë pyetur Salih Mustafën. Ai pati vërejtje për përkthime selektive nga libri, ndërsa kërkoi që të mund ta lexojë në tërësi librin të cilit i referohet Prokuroria e Specializuar.

“Aty përmendet një libër. Unë nuk e kam parxë këtë libër dhe nuk e di nëse ky libër do të më jepet, apo do të jetë pjesë e provave… E kanë pyetur klientin tim për citime të drejtpërdrejta, ne duhet ta dimë burimin e këtyre citimeve”, ka thënë ai.

Gjithashtu, avokati holandez ka përmendur se në materialet që Prokuroria ia ka dhënë atij, ka edhe pjesë të cilat mbështeten te procesverbali i një gjykimi tjetër, ndërsa edhe këtu ka tërhequr vërejtjen se jo i gjithë materiali ka qenë i përkthyer në gjuhën shqipe.

“Kam parë në materialet që na ka dhënë Prokuroria se ata në disa pjesë mbështeten te procesverbali i një gjykimi tjetër… Kam parë që jo i gjithë procesverbali është i përkthyer në shqip”, ka thënë ai.

“I bie që ata të mbështeten në diçka për të cilat klienti im s’mund të japë përgjigje”, ka theksuar Von Boné.

Në anën tjetër, Prokurori i Specializuar, Andrew Carnegie vazhdimisht theksoi se ata nuk i kanë dorëzuar të gjitha provat dhe se mbrojtja do t’i marrë të gjitha materialet në të cilat mbështetet Prokuroria e Specializuar.

“Sa i përket gjykimit të mëparshëm, mbrojtja do t’i marrë materialet… Ata kanë marrë vetëm një pjesë të provave. Por gjithsesi e marrim shënim vërejtjen e avokatit”, ka thënë prokurori Carnegie.