Avokati i Popullit: 232 persona kanë vdekur në vendin e punës nga viti 2004 deri më 2021

Avokati i Popullit bërë të ditur se i ka përfunduar hetimet për sigurinë dhe shëndetin në punë, për të vlerësuar se sa autoritetet publike, përgjegjëse për zbatimin e ligjit, po i përmbushin detyrimet që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në vendin e punës për të punësuarit, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se jhetimi ka filluar duke u bazuar në raportimet në media për rastet e shpeshta të aksidenteve në punë me pasoja deri në fatalitet.

“Të dhënat statistikore për aksidentet në vendet e punës, që përfundojnë me fatalitet, janë shqetësuese. Që nga viti 2004 deri në vitin 2021, sipas Inspektoriatit të Punës, kanë humbur jetën 232 persona në vendin e punës ose lidhur me punën”.

“Ndërsa vetëm gjatë vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, 15 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa janë evidentuar 394 aksidente që kanë përfunduar me lëndime. Këto të dhëna duhet të jenë thirrje për institucionet që të marrin masa për tu siguruar jetën dhe shëndetin e punëtorëve dhe të përmbushin detyrimet që kanë për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu raporti gjen se ka mungesë të kushteve të sigurta për punë, veçmas në ata sektorë që janë identifikuar si më të predispozuar për sa i përket rrezikut për shkak të natyrës së punës/profesionit dhe se në këtë aspekt mbetet shqetësuese mungesa e inspektimit dhe mbikëqyrjes intensive dhe të vazhdueshme.

Avokati i Popullit, bazuar në të gjeturat nga raporti, ka adresuar rekomandime autoriteteve kompetente, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.