Avokati i Popullit viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, javën e kaluar ka vizituar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Qelaj në Hagë qëndroi tre ditë, teksa zhvilloi takime individuale me të gjithë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, përveç Salih Mustafës, të cilit aktualisht i janë të ndaluara vizitat përveç një numri të ngushtë të personave dhe me ish-krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Përveç krerët të UÇK-së, Qelaj u takua edhe me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trandafilova.

“Z. Qelaj u takua edhe me kryetaren e Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trandafilova dhe bashkëpunëtorët e saj, si dhe u njoftua për ecurinë e gjykimit, si dhe për respektimin e të drejtave të të paraburgosurve në procese gjyqësore, të garantuara me standarde ndërkombëtare për të drejtat themelore të të burgosurve, Kushtetuta dhe ligjet e tjera të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Avokatit të Popullit, qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me situatën në lidhje me një gjyk të drejtë, respektimin e të drejtave themelore në paraburgim të garantuara me standardet ndërkombetare për të drejtat e burgosurve dhe me Kushtetuten e ligjet e Kosovës.