Avokati i Salih Mustafës: Në vend-ndodhjen e krimeve të supozuara s’ka asgjë pos një ndërtese të vogël

Në Gjykatën Speciale po mbahet seanca e radhës ndaj Salih Mustafës.

Avokati i këtij të fundit, Jullius Von Bone, tha që pas 15 gushtit do t’i nxjerrë materialet nga vizitat që do të bëj ai dhe ekipi i tij në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Materialet që do t’i mbledhim dëshirojmë që t’i nxjerrim në fund të tri udhëtimeve. Ndoshta do të jetë pas datës 15 gusht. Deri atëherë besoj që do të kemi përfunduar hetimet tona”, tha ai.

E kjo shkaktoi reagimin e kryetares së trupit gjykues e cila e pyeti atë se pse nuk i kanë kryer hetimet gjatë fazës së procedurës paraprake.

Ndaj kësaj pyetjeje u përgjigj Von Bone.

“Unë kam bërë një seancë “EX PARTE” me gjyqtarin paraprak dhe me të fola për problemet që kemi pasur, dhe ajo ishte arsyeja pse u vonuan hetimet. Aty janë dhënë të gjitha arsyet pse janë vonuar hetimet”, tha ai.

Avokati i Salih Mustafës foli edhe për vizitat e mundshme tek vendet ku pretendohet se janë kryer krimet e klientit të tij.

Ai tha se në vendin e pretenduar, tanimë nuk ka asgjë që mund të shërbejë në rast, pasi që aty ka një ndërtesë të vogël e cila është e fotografuar dhe incizuar.

“Ne nuk mendojmë që ka diçka në vend-ndodhjen e krimit. Në qoftë se do të bëhet vizitë atje, s’ka asgjë për të parë. Është vetëm një ndërtesë e vogël, e parëndësishme sa i përket aktakuzës. Në qoftë se do ta shikojmë atë vend, mund ta shikojmë edhe me video me dimensione”, tha ai.

Sidoqoftë, Von Bone tha se nuk është kundër që ky vend të vizitohet nga palët, mirëpo që kjo të ndodhë para se të dëshmojnë dëshmitarët.