Avokati i të moshuarës që u rrah në shtëpinë e pleqve: Aurona Pelaj mund të ketë ikur në Gjermani

Avokati mbrojtës i të moshuarës që u rrah brutalisht nga tri infermieret në qendrën e të moshuarve “Orenda” tha se e dyshuara për këtë rast Aurona Pelaj mund të ketë ikur në Gjermani.

Në një intervistë në Euronews Albania, ai theksoi se sipas informacioneve që ka Pelaj mund të jetë në Gjermani.

“Me informacionet që kam Aurona Pelaj, mund të gjendet në Gjermani. Kështu po përflitet këto ditët e fundit. Prokuroria ende nuk i ka kryet hetimet. Prokuroria ende nuk e ka ngritur aktin-akuzues në Gjykatë dhe Gjykata ende nuk e ka mundësinë që ta ftojë Pelaj. Duhet të paraqitet me thirret, dhe nëse nuk paraqitet merren masat për lëshimin e urdhër arrestit”- tha ai.

Kujtojmë se ende nuk është ngritur aktakuzë e as nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore deri më tani në rastin e sulmit ndaj të moshuarës brenda qendrës “Orenda” në Pejë, në nëntor të vitit të kaluar.

Tri infermiereve të dyshuara të përfshira në këtë rast, Aurona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzije Kuqi – Gashi, u ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh më 2 nëntor nga Gjykata e Pejës.

Por ato u liruan nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Supreme më 25 nëntor të vitit të kaluar.