Azemi: Nga java e ardhshme do të ndryshojmë mënyrën e grevës, do të ketë veprime radikale

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka treguar se punëtorët teknik të Universitetit të Prishtinës nuk kanë marrë ende as pagat e muajit shkurt.

“Pra, pagat e muajit shkurt nuk kanë dalë ende dhe pikërisht këto janë që ne ende po qëndrojmë brenda këtu, dhe në moment kur na i qesin pagat ne nga java e ardhshme do të ndryshojmë sepse nuk shkon kështu deri në pafundësi”, ka deklaruar Azemi.

Sipas të parit të Sektorit Privat, nëse edhe këtë javë nuk ka ndonjë dakordim, atëherë nga java e ardhshme mënyra e grevës do të ndryshojë, duke paralajmëruar veprime më radikale.

“Ne duhet ta ndryshojmë çështjen e grevës, por jemi duke pritur derisa t’i qesin pagat në llogaritë tona, do të jenë komplet apo jo, përndryshe edhe nëse gjithçka është në rregull ne nga java e ardhshme do të ndryshojmë, dhe do të bëjmë veprime edhe më radikale sepse me atë që po shohim ne kështu kjo gjendje nuk po iu bën shumë përshtypje atyre”, është shprehur ai.

I, pyetur se çfarë mund të jenë këto veprime, Azemi ka thënë se Rektorati mund të mos funksionojë.

“Mund të vie deri te ajo që Rektorati nuk mund të funksionojë sepse punëtorët po kërkojnë që të mbyllet dera e rektoratit deri sa të bëhet një zgjidhje”, ka thënë ndër të tjera Azemi.