Baca Adem Demaçi dhe Adem Jashari, të padëshiruar në Prishtinë!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Adem Demaçi në Podujevë, Adem Jashari në Tiranë: Në historinë e re të shqiptarëve të Kosovës ishin dy emra të përveçëm që i dhanë kuptim luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, Komandanti Politik, Bacë Adem Demaçi dhe Komandanti Ushtarak, Adem Jashari. Të tjerët ishin bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të tyre kurse ndërsa pati edhe përfitues ordinerë sikur këta që u konvertuan nga Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës në LDK.

Pjesa kombëtare e LDK-së luftoi sikur të gjithë ushtarët e së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës kurse ajo përfituese e quajtur FARK (Forcat e Armatosura të Kolumbisë) “luftoi” nëpër stanet dhe mrizet e Shqipërisë, pa e shkrepur asnjë plumb për Kosovën. Baca Adem Demaçi bëri afërsisht 29 vjet burg në kampet përqëndruese të ish-Jugosllavisë ndonëse këta këlyshët e Titos që janë bërë pjesë e kotillës politike të qeverisë aktuale thonë se Baca dhe të burgosurit tjerë nuk ishin në burgje por në hotele. Madje, njëri prej tyre pati deklaruar publikisht se Baca Adem Demaçi tërë burgun e ka mbajtur në hotel Moska në Beograd.

Jo në ndonjë hotel tjetër si Mazhestik psh. por në hotel Moska, për të tingëlluar më bindës në poshtërsinë e tyre. Bënin përpjekje që Bacën Adem Demaçi ta nxjerrin më të privilegjuar se rrogëtarët e bindur të Titos dhe Rankoviqit, Ali Shukrinë, Sinan Hasanin, Fadil Hoxhën, Mehmet Maliqin, Kolë Shirokën dhe patriotët e tjerë të kombësisë jugosllave pasardhësit biologjikë dhe politikë e të cilëve sot janë benjaminë të Albin Kurtit, nga kryeministri i vërtetë në hije, Jeton Qurroi, me bijë dhe bija e deri te ambasadori mashtrues në Bruksel, i rritur dhe dresuar me pedigrenë e Qurroit. Ky farë Qurroi Bacën Adem, në një gazetë pornografike politike nga e cila u bë milioner e pati shpallë Bacën se është kundër krejt botës shkaku se e pati refuzuar Konferencën e Rambujesë. Bashkë me shkrimtarin e adhuruar të shokut Enver, disidentin e demokracisë, Mal Padare Padrino që iku në Paris me vijën e rregullt të fluturimit Tiranë – Paris.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Baca Adem Demaçi ishte margjinalizuar politikisht nga thuaja të gjithë. Përjashtim bënin, në rrafshin lokal Shpejtim Bulliqi që qysh para 20 vjetëve kishte parashikuar se do të bëhej kryetar i Podujevës dhe se do ta vendoste përmendoren e Bacës, në qendër të Podujevës, para kafetarisë “Baron” e jo në Parkun në Qendër si ishte marrëveshja paraprake. Pastaj, KM i Kosovës, Albin Kurti i bëri të gjitha përpjekjet që ta bëjë Bacën president të……Kurdistanit por nuk i siguroi votat përkundër sakrificës së madhe.

Thonë se historia në të shumtën e rasteve përsëritet si farsë por në rastin e inaugurimit të përmendores së Bacës Adem Demaçi në Podujevë ia kalonte edhe farsës fantastike. Kush do të thoshte dhe do të besonte se thuaja pas 20 vjetëve, Shpejtim Bulliqi dhe Albin Kurti do ta zbulojnë përmendoren e Bacës Adem?! Këtë nuk e kanë paraparë as Baba Vanga e as Nostradamusi e lëre më ne që i kemi besuar deri në qiell Albin Kurtit.

Si shkuan gjërat gjatë këtij manifestimi: Kohëve të fundit, sidomos pasi Baca kishte rënë shumë me shëndet, shumë pak shokë i qëndruan afër Bacës, simbolikisht pak. Unë, Behxhet Sh. Shala, nuk i jam ndarë për asnjë çast deri në kohën kur iku në përjetësi. Edhe më shumë i kanë ndejtur afër ime shoqe, Fexhrije Shala e keqtrajtuar brutalisht si e burgosur politike në Mitrovicë dhe Prishtinë nga baballarët e bijave dhe bijëve që sot janë sistemuar në institucionet kryesore të Kosovës, në Qeveri, në Kuvend dhe në Presidencë. Edhe më tutje po keqtrajtohet nga kotilla politike projugosllave dhe proserbe në vendin ku punon.

Për Bacën kujdeseshin shumë Shkëmbi dhe Blini sidomos kur qëndronte në shtëpinë tonë e nuk ka qëndruar pak. Për çështje të mëdha politike (për Kinën psh.) Baca më përjashtonte nga debati dhe deri në mëngjes bisedonte me Shkëmbin dhe Blinin. Flisnin si ua donte dëshira dhe jo si ishin mundësitë.

Para disa muajve përfolej se Kuvendi Komunal i Podujevës ka ndarë mjete për ta ngritur përmendoren e Bacës në Podujevë ndonëse Baca Adem Demaçi as nuk kishte lindur në Podujevë, as nuk ishte rritur aty por ishte i lindur në Prishtinë, ishte shkolluar në Prishtinë, kishte vepruar kryesisht në Prishtinë dhe kishte ndërruar jetë në Prishtinë.

Edhe familjen e kishte krijuar në Prishtinë dhe fëmijët kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Prishtinë, sikur edhe nipërit dhe mbesat dhe të afërmit. Ata pak shokë të Bacës Adem Demaçi e kundërshtuan këtë zhvendosje të Bacës nga Prishtina në Podujevë si përpjekje për margjinalizim duke e shndërruar në simbol lokal. Këmbëngulnin (dhe kishin të drejtë) se fillimisht Baca Adem duhet të përjetësohej në Prishtinë e pastaj, nëse është e nevojshme edhe në qendrat tjera. Mirëpo, Prishtina u tregua e pasjellshme dhe mosrespektuese e sakrificës sublime të dy komandantëve të çështjes kombëtare, Adem Demaçi dhe Adem Jashari duke i shpallur persona non grata për Prishtinën. Si rrethanë rënduese e morën angazhimin e tyre dhe sakrificën për liri dhe çështje kombëtare.

Sa të poshtër dhe të pandjeshëm që u treguan! Kur u caktua koha për inaugurimin e përmendores së Bacës Adem Demaçi në Podujevë, disa shokë që mbanin qëndrim kundërshtues të margjinalizimit të Bacës duke e zhvendosur në Podujevë, refuzuan të marrin pjesë në këtë inaugurim. Argument shtesë të këtij refuzimi ishte fakti se nuk donin të bëhen pjesë e fushatës elektorale të Shpejtim Bulliqit dhe Albin Kurtit. E kishin këtë të drejtë. Përkundër qëndrimit të fort që e kam për Bacën, Adem Jasharin, UÇK-në dhe ushtarët e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë, Behxhet Sh. Shala, ime shoqe, Fexhrije Shala, djemtë tanë, Shkëmb dhe Blin Shala si dhe nusja e madhe Mile Fetahu – Shala shkuam në inaugurim dhe, në të njëjtën kohë u bëmë pjesë e fushatës elektorale të personave të përmendur disa rreshta më lart.

Më bëri përshtypje ndryshimi i datës së inaugurimit, së pari ishte data 28 nëntor kurse shkaku se KM i Kosovës po atë ditë shkonte në Vlorë dhe gjetiu, inaugurimi u bë më 26 nëntor 2023. Llapjanët kishin vendosur disa rreshta me karrike për familjarë dhe për ata që tërë kohën e kishin përndjekur politikisht Bacën Adem. Ne që thuaja tërë kohën ishin logjistikë jetësore dhe kombëtare e Bacës ishim në margjina, siç ishte edhe Baca pas përfundimit të luftës në Kosovë. Madje, më kritikuan disa të njohur pse nuk kisha marrë pjesë në ianugurim sepse dioptria e tyre kapte hapësirën vetëm para shtatores së Bacës ku ishin KM, Albin Kurti, Shpejtim Bulliqi dhe një pjesë e ogiqit politik të KM.

Unë, thellë në margjina e takova Fehmi Blakçorin, Albinot Malokun, Avdi Gjatën, djalin e bacës Avdi Monolli, vëllaun e Isa Jasharit që ishte dënuar me mua dhe disa shokë që nuk i kisha parë një kohë të gjatë. Këta edhe ma ndreqën ditën ndryshe do të ishte dënim i madh për mua të duroj edhe një minut të vetëm në mesin e persekutuesve politikë të Bacës Adem Demaçi që çaravesheshin pa asnjë shije dhe pa iu skuqur fare fytyra.

Realisht fytyra iu skuqej, jo nga turpi por nga i ftohti. Në kthim e sipër KM i Kosovës sa nuk u fërkua me mua, pa më parë, deri sa shkoi te xhipi, Shvarc i zi, ndërsa anash rrinin policët e njësisë speciale që, nëse nuk bëjnë asgjë, së paku do ta vrisnin me snajper diken që mund ta rrezikonte eventualisht KM e Kosovës. Rrezikun e vetëm e pata kur një ish huligan, tash me rroba të policisë së Kosovës, në përpjekej për t’i pëlqyer KM Kurti (siç ka bërë edhe me kryeministrat tjerë), thuaja se na nxorri nga rruga kryesore. Çfarë sjellje prej rrugaçi në kohën që, po të ishte nevoja shtatë shpirtat e maces do t’i jipja në mbrojtje të KM të Kosovës, Shkëlqesisë së Tij (gojëkëqinjt thonë të ndryshkur), Albin Kurtit. Por, siç thoshte bartësi i dy shtatoreve në Prishtinë, njëra përballë Kuvendit të Glauk bin Sherifit dhe tjetra para Katedrales, si Misionar i Paqes, Ibrahim Rugova. “Falë Zotit edhe kësaj here shpëtuam …”.

Mashtrimi i vitit: Përkundër se janë të ndaluara me ligj lojërat e fatit, komuna e Prishtinës organizoi një garë me short për bizneset gastronomike që do të fitojnë hapësirë në sheshin bri Katedrales. Realisht ishte një trukim i zakonshëm ku vendet i fituan të gjithë ata që i kishin fituar edhe më parë. Në rastin konkret, tërheqja e shortit vërtetë historia u përsërit si farsë. Madje, nuk mungoi as “bukë e zemër…” e dhe kotillës së tij politike ndonëse …hetimet vazhdojnë!