Bahtiri mohon se u largua nga AKR – çfarë ndodhi të martën që sipas tij “e bëri edhe më të fuqishëm” në këtë parti?

Nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, mohon të ketë dhënë dorëheqje nga kjo parti. Madje sipas tij, ai është më i fuqishëm se kurrë në këtë parti.

Bahtiri në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se vazhdon të mbetet në AKR dhe se ka marrë mbështetjen e strukturave të partisë për të bërë koalicion më kë e sheh ai të arsyeshme.

“Çfarë dorëheqje, kurrë ma i fortë në jetë s’kam qenë. Nuk kam dhënë dorëheqje as në parti, as kërkund. Dje e kam pasur mbështetjen e fuqishme të strukturave të partisë që të bëjë koalicion me kë unë ta shoh të arsyeshme, kjo ka qenë ajo fuqia që e kam marrë dje. Unë jam në AKR dhe do të jem në AKR”, ka thënë ai.

I pyetur se me kënd e sheh të arsyeshme të bëjë koalicion kjo parti politike para zgjedhjeve, nuk ka dhënë ndonjë emër konkret.

“Eh po, tani do t’i shohim ofertat. Mbetet të shihet”, ka thënë ai.