MSH: Shtesat prej 10% për punëtorët shëndetësorë do të jepen me pagën e muajit shkurt

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se shtesat prej 10% për punëtorët shëndetësorë do të jepen me pagën e muajit shkurt, në mënyrë retroaktive edhe për muajin janar.

Kjo, sipas MSH-së, sepse agregimi i të dhënave për një numër të madh të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës nga dhjetëra organizata buxhetore do të marrë kohë, transmeton Klankosova.tv.

“Me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.09/56, për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro për punonjësit e sektorit publik (profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës) deri në gjashtë muaj, përkatësisht për periudhën janar-qershor 2022,” thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më 26 janar 2022, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5. 6 milionë euro për pagesën shtesë për profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës në sektorin publik.