Bajrami: Efekti i Aferës Zdravo, pushteti përjashtoi veteranët e UÇK-së nga paga minimale

Pas kalimit të Ligjit për Pagën Minimale në Kuvendin e Kosovës në lexim të dytë, ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete N. Bajrami, e cila u shpreh se “efekti i Aferës Zdravo, veteranët mbesin pa rritje të pensionit”.

Me kalimin e Ligjit për Pagën Minimale, mbeten ende të papërfshirë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të vazhdojnë t’i marrin vetëm 170 euro, aq sa ka qenë paga minimale, ndërsa tani paga minimale do të jetë 264 euro.

Kujtojmë se në audioinçizimet e publikuara nga Nacionalja, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet teksa ankohet dhe koordinohet me Listën Serbe saktësisht për këtë mospërfshirje të veteranëve të UÇK-së në Ligjin për Pagën Minimale.

Reagimi i Bajramit:

Efekti i #AferësZdravo, veteranët mbesin pa rritje të pensionit

Pas krejt asaj që ndodhi sot në Kuvend Vetëvendosje sapo e kaloj Ligjin për Pagën Minimale, Ligj për të cilin më herët ishin koordinuar me Radoicicin dhe Simicin. I përjashtuan veteranët e UÇK-së.

Tash e tutje paga minimale është 264 euro e pensioni i veteranit mbetet VEÇ 170 euro.

Çka pritet tjetër prej një qeverie ku ministri i financave i ka quajtur mercenarë ushtarët e UÇK-së e Mimoza Kusari në #AferënZdravo bënë pazare me Srpskan për veteranët.

Ky popull nuk ju duron. Ky popull do t’ju ndëshkojë.