Banka Qendrore e Kosovës pa Bord për më shumë se 1 vit, merr vendime të kundërligjshme

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vazhdon që të jetë pa Bord që nga vera e vitit 2020 kur edhe iu ka skaduar mandati shumicës se anëtarëve.

Momentalisht sipas Ligjit për BQK-në, si anëtarë të bordit me mandat ligjor janë vetëm Guvernatori (Fehmi Mehmeti) dhe Kryetari i Bordit (Flamur Mrasori). Rrjedhimisht, BQK është duke operuar pa buxhet të aprovuar sipas ligjit pasi që Bordi është jo funksional për shkak së mungojnë tre nga pesë anëtarët. Kjo për faktin se tre anëtarëve jo ekzekutiv iu ka përfunduar mandati dhe nuk janë më pjesë formale e këtij Bordi.

Bordi i BQK-së përbëhet prej Guvernatorit dhe 4 anëtarëve jo ekzekutiv, referencë: Neni 34, Bordi i Bankës Qendrore, Bordi Ekzekutiv dhe Guvernatori, pika 2 e Ligjit të BQK-së). Sipas Ligjit të BQK-së, një ndër kompetencat e Bordit (Mbikëqyrës), është edhe që të miratojë buxhetin vjetor (shih: Neni 64 Buxheti 1. Banka Qendrore do të përgatisë buxhetin e saj vjetor, i cili do të miratohet nga Bordi i Bankës Qendrore, para fillimit të çdo viti financiar). Referuar faktit që shumicës së anëtarëve ekzekutiv iu ka përfunduar mandati, dhe se mbështetur në faktin se i vetmi organ që mund të miratoj buxhetin vjetor të bankës është Bordi i BQK-se (ref: Neni 35 Kompetencat dhe detyrat e Bordit të Bankës Qendrore; 1.6. miraton buxhetin vjetor të Bankës Qendrore i cili në mënyrë specifike duhet gjithashtu të përfshijë miratimin e një plani të kompensimit vjetor për të gjithë punonjësit).

Për të gjitha këto gjetje IndeksOnline ka dërguar pyetje në Bankën Qendrore të Kosovës për të kërkuar sqarime se si janë duke funksionuar nëse nuk kanë buxhet vjetor të miratuar, çfarë procedurash kanë ndjekur dhe a janë duke e shkelur ligjin? Mirëpo as pas një jave, BQK nuk iu është përgjigjur pyetjeve tona.

Në bazë të këtyre gjetjeve, BQK është duke shpenzuar paranë publike në mënyrë joligjore apo edhe pa ndonjë kërkesë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si organ kompetent që të bëjë përjashtim apo të kërkojë amandamentim të ligjit të BQK-se në mënyrë që të adreson mungesën afatgjate të kuorumit në rastin e vendimmarrjes. Për më shumë, edhe në ligjet tjera në Kosovës, asnjë institucion publik nuk guxon që të shpenzoj paranë publike pa buxhet të miratuar nga organet kompetente.

(P.sh., në rast së Qeveria nuk ka buxhet të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, asnjë pagesë nuk guxon që të bëhet pas tremujorit të parë të vitit vijues). Me rastin e BQK-së, një shkelje e tillë është shkelje tipike ligjore pasi që buxheti i vitit 2021 nuk është miratuar sipas ligjit, ndërsa harxhimi i këtij buxheti pa miratim, është shkelje ligjore.