Bankat e Kosovës fituan mbi 120 milionë euro për tre muaj nga të hyrat e interesit

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se të gjitha bankat e Kosovës kanë vazhduar të performojnë me fitime të larta, ku në tremujorin e tretë të vitit 2023, bankat kanë pasur një profit neto prej 123.7 milionë eurosh.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të rritjes të të hyrave, që kanë qenë më të larta në krahasim me vitin e kaluar.

Ndërkaq, sipas BQK-së, gjithsej të hyrat kanë arritur vlerën prej 317 milionë eurosh, që është një rritje prej 17.2 për qind prej vitit të kaluar.

“Sektori bankar në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023, realizoi profit neto prej 123.7 milionë eurosh, niveli më i lartë në raport me periudhat e njëjta të viteve paraprake. Rezultati i tillë financiar u arrit kryesisht nga rritja e të hyrave, e cila ishte më e larët se një vit më parë, përderisa edhe shpenzimet vazhduan trendin rritës për të dytin vit me radhë”, thuhet në raport.

Në këtë rritje, kryesisht kanë ndikuar të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 për qind të të hyrave.

“Gjithsej të hyrat arritën vlerën prej 317.1 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 17.2 për qind (13.6 përqind deri në shtator 2022). Në rritjen e të hyrave kontributin kryesor e kishin të hyrat nga interesi, që përfaqësojnë 74.0 për qind të gjithsej të hyrave. Në kuadër të të hyrave nga interesi, arkëtimet nga interesi në kredi kontribuuan kryesisht në këtë rritje, kategori e ndikuar prej rritjes së theksuar të kreditimit, posaçërisht në tri vitet e fundit, si dhe rritjes së normave të interesit në kredi. Për më tepër, të hyrat nga plasmanet me bankat janë rritur theksueshëm, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet tutje.

Grafik34. Profiti dhe treguesit e profitabilitetit të sektorit bankar

Ndërsa, kategoria e të hyrave nga jointeresi, kryesisht nga tarifat dhe komisionet, shënoi rritje më të ngadalësuar vjetore prej 4.1 për qind nga rritja prej 14.1 për qind një vit më parë, duke arritur vlerën prej 72.0 milionë eurosh në fund të shtatorit 2023.

“Vlera e shpenzimeve të sektorit bankar arriti në 193.4 milionë euro deri në shtator 2023. Me rritje më të përshpejtuar vjetore u karakterizuan edhe shpenzimet, duke u rritur përkatësisht për 18.8 për qind nga 10.0 për qind sa ishte deri në shtator të vitit të kaluar. Kontributin më të lartë në këtë rritje kishte rritja e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative, si dhe shpenzimeve të interesit. Kategoria me peshën më të madhe në gjithsej shpenzimet, ajo e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative me pjesëmarrje prej 57.2 përqind, u rritën për 17.5 përqind nga viti paraprak (9.0 përqind rritje në vitin a kaluar); dhe arritën vlerën në 110.6 milionë euro në fund të shtatorit 2023. Rritja e shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative kryesisht reflekton rritjen e shpenzimeve të personelit, për të përshtatur nivelin e pagave me ritmin e rritjes së inflacionit. Po ashtu, shpenzimet e interesit shënuan rritje vjetore prej 97.4 për qind nga rënia e shënuar në vitin paraprak prej 27.1 për qind, që i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita në veçanti dhe financimit në përgjithësi, si dhe njëkohësisht rritjes së stokut të depozitave”, thuhet në raportin e BQK-së.