Baraliu: Kërkesa e BE-së për djegien e mandateve në veri, ndërhyrje e pashembullt dhe anti-kushtetuese

Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka thënë për Front Online se me këtë kërkesë, Bashkimi Evropian po ndërhyn direkt në sistemin juridik të Kosovës.

Ai të njëjtën e ka quajtur të papranueshme.

“Është e padrejtë dhe e papranueshme, ata janë zgjedh, legaliteti dhe legjitimitete në demokraci nënkupton një votë më tepër kush e ka fiton. Mos marrja pjesë në proces siç kanë bërë bojkotuesit e Beogradit me Listën Serbe është refuzim i të drejtave, ato janë ofru, ata nuk i kanë shfrytëzu dhe kush nuk i shfrytëzon mbetet dorë zbrazët. Kështu që është një ndërhyrje e pashembullt, dhe anti-kushtetuese në kontekstin e Kushtetutës së Kosovës dhe në sistemin juridik të Kosovës”, është shprehur Baraliu, për Front Online.

Sipas Baraliut, Bashkimi Evropian edhe njëherë po i bën favor Serbisë.

Derisa, thotë se kjo po bëhet në mënyrë të paskrupullt kundër marrëveshjeve që vet i kanë propozuar e që janë ajo e Brukselit dhe e Ohrit.

“Ato marrëveshje që nuk po i zbaton Vuçiqi nuk po i thonë asgjë, ndërsa për ne pa asnjë bazë juridike në dëm të Kosovës dhe në kundërshtim me normat kushtetuese dhe ligjore të këtij vendi deklarohen në mënyrë jashtëzakonisht primitive kundër parimit të vlerave evropiane që është vlera kryesore demokracia në bazë të cilave është themeluar Bashkimi Evropian ose edhe do të duhej të funksiononte sepse edhe ai është në krizë të thellë dhe ka probleme serioze, por kështu si po sillen ndaj Kosovës po sillen në mënyrë të padrejtë dhe nuk i trajtojnë palët barabartë, Serbinë po e favorizojnë dhe po e privilegjojnë”, ka deklaruar ai.