Barazia gjinore në botë pritet të arrihet vetëm pas 100 vjetësh

Sipas një hulumtimi të ri, shumica nga ne nuk pritet të jemi gjallë kur të arrihet barazia gjinore në botë. Kjo pritet të arrihet pas 100 vjetësh.

Në raportin botëror për barazi gjinore të Forumit Ekonomik Botëror, Islanda vlerësohet si vendi me barazinë gjinore më të avancuar në botë për të njëmbëdhjetin vit radhazi. Pas saj radhiten Norvegjia, Finlanda dhe Suedia.

Në anën tjetër, Siria, Pakistani, Iraku dhe Jemeni janë vlerësuar si vendet me më së paku barazi gjinore në botë.

Raporti për barazi gjinore përmbledh të dhëna nga 153 shtete në lidhje me pjesëmarrjen në ekonomi, qasjen në arsim, sektorin shëndetësor dhe përfshirjen në sistemin politik.

Sipas këtij raporti, vetëm 35 shtete e kanë arritur barazinë gjinore për qasje në arsim, ndërsa vendet e tjera pritet ta bëjnë këtë gjë pas 12 vjetësh.

Më shqetësuese është mungesa e barazisë gjinore në politikë. Asnjë shtet nuk ka barazi gjinore të plotë në këtë fushë.

Duke i llogaritur të gjitha fushat, në këtë raport parashikohet se shtetet do ta arrijnë barazinë gjinore pas 99.5 vjetësh, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.