Basha nën presionin e SHBA e BE, nis misionin “atvrasës”. Gati largimi i Berishës nga PD

Kreu i PD, teksa gjendet përballë ultimatumit të Berishës që në protestën e të shtunës të tregojë forcën dhe t’i japë një “kolpo” Ramës, e ka të vështirë të gjejë një rrugëdalje dhe përballë presionit ndërkombëtar. SHBA dhe BE ia kanë bërë të qartë kreut të PD, se duhet të ndahet nga e shkuara e dhunshme dhe aspak demokratike e Berishës, pasi me dhunë nuk vjen kurrë në pushtet. Në vijim të këtij presioni ka qënë dhe dalja në media e njërit prej këshilltarëve më të afërt të Bashës, i cili ka bërë të ditur nisjen e procesit të bërjes “dalje” të Berishës nga partia. Basha duket se ka vendosur që të ndahet njëherë e mirë nga “babai” i tij politik, duke u çliruar nga e shkuara përmes “atvrasjes” politike. Eshtë vetëm çështje kohe kur Berisha të gjendet jashtë “rrathëve” drejtues të PD.

Kreu i PD Lulzim Basha gjendet nën një trysni të madhe, për shkak të rrugës pa krye ku ka hyrë opozita pas vendimit të djegies së mandateve, protestave të dhunshme e bojkotit të zgjedhjeve.

Teksa gjendet nën një presion të fortë nga ana e krahut radikal në PD të kryesuar nga Sali Berisha, i cili nuk ia “fal” mosrrëzimin e Ramës pas 7 protestave të dhunshme, Basha do të duhet ta ballancojë ‘sikletin’ dhe me presionin e SHBA e BE, që kërkojnë qetësi dhe rikthim në sistem.

Natën e 2 qershorit Basha është gjendur nën breshërinë e goditjeve të Berishës dhe ithtarëve të tij, të cilët e kanë masakruar për mënyrën “aspak dinjitoze të organizimit të protestës, e cila më shumë se sa një reagim ndaj qeverisë, ngjante me një shetitje në bulevard”.

Berisha i ka kërkuar prerë Bashës që në protestën e 8 qershorit njerëzit duhet të lënë “shetitjen” dhe ti tregojnë forcën Ramës, i cili jo vetëm që nuk ka ndërmend të reflektojë dhe të ikë, duke plotësuar kushtet e opozitës, por ka nisur dhe të tallet me pafuqinë e PD-LSI.

Basha, teksa gjendet përballë ultimatumit të Berishës që në protestën e të shtunës të tregojë forcën dhe t’i japë një “kolpo” Ramës sikurse ia dha vetë Berisha më 14 shtator 1998 Fatos Nanos, e ka të vështirë të gjejë një rrugëdalje dhe përballë presionit ndërkombëtar.

SHBA dhe BE ia kanë bërë të qartë kreut të PD, se duhet të ndahet nga e shkuara e dhunshme dhe aspak demokratike e Sali Berishës, për ta orientuar këtë parti drejt institucioneve.

Madje kanë qënë konkretë, teksa i kanë kujtuar Bashës se Berisha është në perëndim të jetës së tij biologjike, ndërkohë që kreu i PD ka përpara tërë jetën e tij politike dhe nuk mund të vijë kurrë me dhunë në pushtet, sado që të përpiqet.

Me sa duket në vijim të këtij presioni ka qënë dhe dalja e njërit prej këshilltarëve më të afërt të Bashës në media, i cili ka përcjellë një qëndrim ndryshe tashmë në PD, bërjen “dalje” të Berishës nga partia.

Dritan Shano, i ftuar në një emision televiziv deklaroi se Partia Demokratike duhet të ndahet “nga e shkuara e sa,j sado e lavdishme”.

“Programi i Partisë Demokratike duhet të jetë i vërtetë dhe i besueshëm” dhe shtoi se “PD-ja duhet të ndahet nga e shkuara e saj, sado e lavdishme”, tha Shano.

Kur u pyet nëse ndarja nga e shkuara do të thotë që Sali Berisha të mos jetë më në listën e deputetëve, Shano u përgjigj:“Kryetari i partisë është mandatuar që t’i japë zgjidhje kësaj gjëje.

Nëse është e nevojshme dhe nëse njerëzit e përcjellin qartë këtë mesazh, atëherë ai duhet t’u bindet njerëzve.

Ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë për alternativa të tjera. Është e qartë që klasa politike shqiptare duhet të rinovohet”.

Dhe Shano si një këshilltar i hershëm i liderëve politikë, ka qënë me ish kryeministrin socialist Fatos Nano dikur, tashmë i Lulzim Bashës, ka dhënë pikërisht këtë mesazh: Basha duhet të ndahet njëherë e mirë nga “babai” i tij politik Sali Berisha. Madje sa më parë.

Pas presionit ndërkombëtar, SHBA dhe BE por dhe presionit të radikalëve të PD të kryesuar nga Berisha, Basha ka vendosur të çlirohet nga e shkuara, të bëhet “atvrasës” politik.

Eshtë vetëm çështje kohe kur Berisha të gjendet jashtë “rrathëve” drejtues të PD./Pamfleti/