Abdixhiku: Sot është ditë e vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq

I pari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, bashkë me anëtarë e struktura të Këshillit Drejtues të Iniciativës Qytetare, sot, në një ceremoni solemne, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, iu bashkuan edhe zyrtarisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me këtë rast, në fjalën e tij, i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi që i uroj mirëseardhje Gashit dhe bashkëpunëtorëve të tij, tha se kjo është një ditë e veçantë, të cilën e cilësoi si një ditë të rritjes, bashkimit dhe të vënies së themeleve të qëndrueshme të LDK-së në Obiliq.

“Kjo ceremoni e sotme, në pjesëmarrje kaq masive, është vulë e fuqisë sonë politike, fuqi që buron nga bashkimi ynë ideologjik, nga nevoja për reforma të thella strukturore, si dhe nga vizioni që ndajmë për të ardhmen tonë politike, për Obiliqin e për Kosovën”, theksoi Abdixhiku.

Abdixhiku e vlerësoi lart figurën e Xhafer Gashit, për të cilin tha se është patriot i madh, kryetar i suksesshëm i komunës, luftëtar i Koshares dhe mik i heronjve Agim Ramadani e Sali Çekaj.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët politike. Ta mbrojmë, ta ngrisim, ta lartësojmë drejt triumfeve të reja që na presin përpara”, tha në fund të fjalës së tij Abdixhiku.

Ndërsa, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se ndihet i nderuar që bashkë me anëtarët e Këshillit Drejtues të Iniciativës Qytetare për Obiliqin, është bërë pjesë e LDK-së.

“Reformat e ndërmarra dhe hapja e dyerve të partisë nga kryetari Abdixhiku, kanë bërë të mundur që ne sot të jemi pjesë e LDK-së dhe të rrugëtojmë së bashku”, nënvizoi Gashi.

Gashi është kryetar i Obiliqit tash e tre mandate. Dy mandate i fitoi nën petkun e AAK-së dhe të fundit nën Iniciativën Qytetare.