“Thehet akulli”, Kurti e Mustafa marrin vendimi e papritur

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, pritet të takohen sot për të diskutuar rreth formimit të koalicionit qeverisës.

Burime të Reporteri.net kanë bërë të ditur se Kurti e Mustafa pritet të takohen rreth orës 17:00 ku do të mundohen të gjejnë gjuhë të përbashkët për lidhjen e koalicionit qeverisës.

Ky takim i radhës mes tyre pritet të mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Ata i rikthehen bisedimeve pas 10 ditësh, ku pasi ishin takuar më parë disa herë radhazi, për të finalizuar marrëveshjen mes këtyre dy partive.

Edhe pse në takimin e fundit ishte paralajmëruar nënshkrimi i marrëveshjes për formimin e qeverisë mes VV-së e LDK-së kjo nuk ndodhi pasi nuk arritën të pajtohen rreth ndarjes së pozitave ministrore.

Përveç kësaj ata nuk gjetën pajtueshmëri edhe për pozitën e presidentit, e cila së fundmi i përplasi dy partitë të cilat synojnë qeverisjen, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

LDK po e kërkon me ngulm këtë pozitë për ta “rehatuar” Isa Mustafën pasi Thaçit t’i përfundoi mandati, por që VV nuk po e pranon, të paktën deri tani.