Bashkëpunëtorët e përkujtojnë dëshmorin, Agron Rrahmani

Në 22 vjetorin e rënies së dëshmorit, Agron Rrahmani, bashkëpunëtorët e tij kanë bërë sot homazhe te varri i tij, shkruan Fokusi.info.

“Sot po e nderojmë një vigan të luftës sonë çlirimtare, Agron Rrahmanin, një ndër udhëheqësit e LKÇK-së, komandanti i njësisë së parë guerile të Prishtinës “Rexhep Mala”, që ishte paraprijëse e Gueriles së Prishtinës “BIA” të UÇK-së”, ka shkruar Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim.

Statusi i plotë:

Hapi i rëndë i komandantit…

Shok i dashur, gjithmonë i buzëqeshur por me vullnet të çeliktë në rrugën e lirisë e të luftës çlirimtare, komandanti ynë, na ka marrë malli. 22 vjetët pa ty nuk po e shuajnë mallin, por po na grumbullohet si një lëmsh në gjoks. E ndonjëherë nuk jemi të fortë e na shpërthen ai lëmsh. Na i bën hallall lotët.

Sot po e nderojmë një vigan të luftës sonë çlirimtare, Agron Rrahmanin, një ndër udhëheqësit e LKÇK-së, komandanti i njësisë së parë guerile të Prishtinës “Rexhep Mala”, që ishte paraprijëse e Gueriles së Prishtinës “BIA” të UÇK-së.

Ndrije si yll në terrin e natës që na ka pas pllakosur. Së bashku me shokë pate vendosur natën dritë të bësh. E dritë e përjetshme do të mbetesh në kujtimet e shqiptarëve dhe të gjithë liridashësve të botës.