Bashkimi Evropian, 60 milionë vende pune në rrezik

Rreth 60 milionë vende pune në të gjithë Bashkimin Evropian dhe Britaninë e Madhe rrezikohen nga pandemia e koronavirusit.

Një kompani konsulence, McKinsey, paralajmëron në një raport të publikuar të hënën se papunësia në BE mund të rritet nga 6 përqind në më shumë se 11 përqind dhe të mbetet e lartë për vite nëse sëmundja nuk vihet shpejt nën kontroll. McKinsey vlerëson se një në katër vende pune në BE dhe Britaninë e Madhe, rrezikohet nga një reduktim orari apo pagese, lënie të përkohshme në dispozicion apo ulje të përhershme page.

Profesionet që nuk kërkojnë kontakt të ngushtë me persona të tjerë, përfshirë llogaritarët dhe arkitektët, konsiderohen me rrezik të ulët, bashkë me ato që njihen si shërbime të domosdoshme, si policia. Rreth 55 milionë punonjës janë të punësuar në pjesën e profesioneve të rrezikuara, përfshirë tregtarët, kuzhinierët, punonjësit e ndërtimit, stafi i hoteleve dhe aktorët. Rreth 80 përqind e vendeve të punës që konsiderohen të rrezikuara mbahen nga njerëz që nuk kanë diplomë, me punonjësit e kompanive më të vogla të rrezikuar më shumë.

Sipas një skenari në të cilin evropa nuk do të mund ta vendosë virusin nën kontroll, brenda tre muajsh, dhe do të detyrohet të vazhdojë me masat e distancimit social edhe në verë, shkalla e papunësisë në BE do të shkojë në 11,2 për qind në 2021, me një ringritje të plotë që nuk do të mund të shihet deri në 2024. Përtej Atlantikut, në SHBA, ka shkuar në rreth 22 milionë numri i të papunëve të rinj, ose rreth 13.5 përqind e forcës punëtore, që nga 14 marsi.