Belegu: Oferta e Kurtit për LDK-në e tregon frikën e partive të tjera nga fitorja e AAK-së

Këshilltari i Kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, Erolld Belegu, me anë të një statusi në faqen e tij në Facebook ka reaguar për zhvillimet e fundit rreth ofertës së Albin Kurtit për koalicion LDK – VV.

Sipas Belegut, kjo ofertë tregon se partitë tjera po i frikësohen fitores së AAK-së dhe Haradinajt, duke ua pamundësuar ta vazhdojnë Status Quo-në dhe dobësimin e shtetit të Kosovës.

Postimi i plotë i Belegut:

“Oferta e Albin Kurtit për LDK-në është dëshmia më e qartë e frikës së të gjitha partive për fitoren e pashmangshme të AAK-së dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Këto zgjedhje janë një referendum dhe në të janë dy opsione:

Vazhdimësia e forcimit të shtetit të Kosovës dhe pozicionit të saj me politika zhvillimore që mbrojnë e çojnë përpara konceptin 100% shtet – opsion i përfaqësuar nga AAK
Vazhdimësia e politikave të brishta të kaluara dhe dobësimit të shtetit të Kosovës, duke ruajtur Status Quo-në – opsion i përfaqësuar nga partitë e tjera

Ky është një lajm i mirë për votuesin, i cili kurrë nuk i ka pasur më të qarta opsionet dhe idetë për Kosovën dhe kjo do të dëshmohet më 6 tetor!”