Bayern është kampion i Europës, finalen e Lisbonës e vendos Coman (VIDEO)

Bayerni triumfon për herë të 6-të në histori në Champions League, duke rrëmbyer trofeun me “veshë të mëdhenj”. Skuadra e Flick fitoi me shumë vështirësi 1-0 në finalen e luajtur në “Da Luz” kundër PSG. Ndeshja nisi me një ritëm të ulët teksa të dyja skuadrat studiuan lojën e njëra-tjetrës. PSG merr kontrollin e lojës në minutat në vijim, teksa në minutën e 18-të, Neymar i vetëm përballë portierit Neuer, ndalet nga dy pritje fantastike të portierit gjerman.

Reagimi i Bayernit është i menjëhershëm, teksa 4 minuta më pas, Lewandowski rrotullohet në mënyrë spektakolare në zonë dhe më pas e dërgon topin në shtyllën e djathtë. Pak sekonda më pas me një kundërsulm të frikshëm, Di Maria shpërdoron një shans të artë në zonën e gjermanëve.  Bavarezët humbën Boateng në minutën e 25-të, pasi doli i dëmtuar nga fusha e lojës, teksa vendin e tij e zuri Sule. Emocionet shtohen me kalimin e minutave, teksa disa minuta më pas Keylor Navas shpëton për mrekulli portën pas një goditje me kokë të Lewandowskit. Në fundin e pjesës së parë, Mbappe nga një pozicion shumë i favorshëm, brenda zonës, bën më të vështirën, duke ja dhuruar topin Neuer-it.

Bayerni e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme pjesën e dytë, pasi do të zhbllokonte rezultatin. Në minutën e 59-të pas një aksioni të gjatë, Coman është në vendin dhe në kohën e duhur për ta shtyrë topin në fundin e rrjetës. Francezi shpërdoroi një tjetër shans të artë pak minuta më pas, teksa Thiago Silva largoi topin nga vija e portës. PSG nuk dorëzohet, teksa 10 minuta nga pësimi i golit i afrohet shumë pranë barazimit me Marquinhos, i cili frenohet nga një pritje fantastike e Neuer.

Nuk do të mungonin as polemikat, pasi Mbappe pretendoi për një penallti pas një ndërhyrje në zonë, por arbitri italian Orsato as nuk e pa rastin në VAR. Skuadra e Tuchel vuan shumë për të krijuar raste shënimi, teksa Neymar është egoist duke bërë shumë veprime të gabuara individuale. Në minutën e dytë të shtesës, pas një kundërsulmi të shpejt Choupo-Mouting nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetën thuajse me portën e boshatisur. Deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte me Bayernin që arriti t’i fitonte të gjitha ndeshjet e këtij edicioni në Champions League.