I sapoaderuari në AAK emërohet u.d i kryeshefit të Postës, a ia siguroi pozitën partia e re?

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës ka marrë vendim për emërimin e një ushtruesi të ri të detyrës së Kryeshefit të Postës së Kosovës.

Burime të lajmi.net tregojnë që Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e mbajtur dje, e ka caktuar Xhevdet Smakiqin si ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje publike.

E Smakiqi, siç mëson lajmi.net ka lidhje të forta me politikën.

Pas përvojës në disa parti, së fundmi Xhevdet Smakiqi ka aderuar në AAK.

Para se t’i bashkohej partisë së Haradinajt, Smakiqi kishte qenë në Nismën Socialdemokrate, e para kësaj të fundit ishte në PDK.

Emërimi i tij në këtë pozitë shumë të rëndësishme vjen në një kohë kur pikërisht partia e Haradinajt është pjesë e koalicionit qeverisës.

Vlen të theksohet se ishte po ashtu qeveria Hoti ajo që me 19 tetor emëroi Bordin e Përkohshëm të Postës, i cili dje e zgjodhi Smakiqin si drejtor ekzekutiv.