BE: Emërimi i noterëve të bëhet nga Qeveria e re

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka kërkuar që emërimi i noterëve të rinj të bëhet nga Qeveria e re.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka lëshuar një deklaratë për media, ku ka theksuar se procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të rregullt the të ligjshëm të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin që shoqëria i jep individëve që luajnë këtë rol të përgjegjshëm.

“Ky proces duhet të jetë i lirë nga çdo pretendim i parregullsisë, i vërtetë ose i perceptuar”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së.

Më tej në deklaratë thuhet se “ne u bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga emërimet e ndonjë noteri pasi besojmë fuqimisht se vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re”.

Deklarata e plotë pa ndërhyrje:

“Bashkimi Evropian është një mbështetës i palëkundur i Profesioneve të Lira Ligjore në Kosovë dhe në këtë drejtim ka mbështetur autoritetet lokale dhe këto profesione drejtpërdrejt për t’i forcuar ato në lidhje me numrin dhe statusin e tyre.

Kjo gjithashtu përfshin noterët si ata që garantojnë një kontratë të ligjshme dhe të sigurt dhe parandalojnë mashtrime dokumentare.

Procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të rregullt dhe të ligjshëm të noterëve është thelbësor për të nxitur besimin që shoqëria i jep individëve që luajnë këtë rol të përgjegjshëm.

Prandaj, ky proces duhet të jetë i lirë nga çdo pretendim i parregullsisë, i vërtetë ose i perceptuar.

Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në largim të Kosovës që të përmbahen nga emërimet e ndonjë noteri pasi besojmë fuqimisht se vendimi në këtë drejtim duhet t’i lihet qeverisë së re.”